9,99 €
Dieses Buch ist in albanischer Sprache verfasst. Të ushqyerit me ushqim hallall është kërkesë religjioze për myslimanët. Ky studim merret me pyetjen se si në saje të zhvillimeve moderne mund të definohet mishi hallall ose haram. Ndër tezat e përhapura deri sot janë ato që thonë se metodat e trullosjes së kafshëve që përdoren para therjes së tyre realisht janë maltretim dhe mbytje e kafshëve; se personat që therin kafshët nuk thonë „bismillah“ dhe nuk i takojnë asnjë feje dhe së këndejmi nuk lejohet të hahet mishi nga ato kafshë përveç nëse në paketimin e tyre sheh vulën „hallall“. Pas paraqitjes së rregullave të jurisprudencës islame, standardeve që përdorin institucionet që japin vulën e hallallit dhe rrethanave faktike në shtetin e Austrisë, për sa i përket mirëmbajtjes dhe therjes së kafshëve, studimi vjen në konkluzat se...
Das E-Book können Sie in Legimi-Apps oder einer beliebigen App lesen, die das folgende Format unterstützen:
Veröffentlichungsjahr: 2024
Inhaltsverzeichnis
Impressum
Omer Berisha, MA
MISHI HALLALL
KONTEKSTUALIZIMI I HALLALLIT DHE I HARAMIT NË DRITËN E ZHVILLIMEVE BASHKËKOHORE
AUTOR: Omer Berisha, MA
MENTOR: Dr. Zekirija Sejdini, udhëheqës i Institutit për Pedagogji Islame në Univerzitetin e Insbrukut, Austri
MENTOR NDIHMËS: Dr. Mehmet Hilmi Tuna
RECENSENTË TË BOTIMIT NË SHQIP: Mr. Nehat Ismaili, prof. Muhamed Dërmaku
REDAKTOR GJUHËSOR: Arsim Jonuzi
BALLINA DHE FAQOSJA: Dorlir Kraja
VITI I BOTIMIT: 2024
Përmbajtja:
HYRJE 5
Pyetja kërkimore 10
Hulumtimet aktuale 12
METODA E KËRKIMIT 16
Si arrihet në fakt te dispiozitat “hallall” dhe “haram”? 18
Dispozitat e therjes së kafshëve në fikhun islam 42
Mbajtja e kafshëve 61
STANDARDET E NDJEKURA NGA ORGANE CERTIFIKUESE AUSTRIAKE PËR PRODUKTE HALLALL 79
Rrethanat e Austrisë (dhe bashkimit evropian) lidhur me konsumimin e mishit 91
Krahasimi i rrethanave aktuale me dispozitat islame 110
PËRFUNDIM 124
Literatura 132
HYRJE
Normat islame u ofrojnë myslimanëve udhëzime në fusha të ndryshme të jetës. Këto norma janë zhvilluar në jurisprudencën islame (fikh). Veprimet njerëzore të përfshira në të ndahen në kategori të ndryshme. Kategoritë ose rregulloret më të rëndësishme përfshijnë atë që është e lejuar (hallall) dhe atë që është e ndaluar (haram). Edhe kategoritë e tjera, përveç hallall dhe haram, kanë një peshë të veçantë, si për dijetarët që gjejnë përgjigje (Ifta’) ashtu edhe për myslimanët që duan t’u përmbahen rregullave islame. Për myslimanët, këto norma korrespondojnë me natyrën e tyre të vërtetë dhe janë në interes të individëve dhe shoqërisë.
Në jurisprudencën islame, rregulli është se çdo gjë mbetet kryesisht e lejuar, përveç nëse është e ndaluar në mënyrë eksplicite në tekstet e njohura burimore islame. Kjo justifikohet duke iu referuar vargut të Kuranit: “Ai është që krijoi për ju çdo gjë që është në tokë” (2:29). Kur bëhet fjalë për ushqimin, Islami në përgjithësi thotë se të gjitha ushqimet që nuk janë shprehimisht të ndaluara mbesin të lejuara. Në tekstet burimore islame gjejmë udhëzime të hollësishme në lidhje me këtë: Në një ajet kuranor në të cilin Zoti foli për hirin e përsosmërisë së fesë, u shpjeguan edhe llojet e ushqimeve të ndaluara:
“U ndalohet juve ngrënia e cofëtinës, gjakut, mishi i derrit, ajo kafshe që është therrur jo në emër të Allahut, mishi i kafshës që është lidhur në fyt e ka plasë, mishi i kafshës që është rrahur e ka ngordhur, i asaj kafshe që është mbytur nga të rrëzuarit, i asaj që është mbytur me brirë nga kafshët e tjera e i asaj që është mbytur nga egërsirat, me përjashtim të atyre që i therni ju para se të ngordhin. U ndalohet juve ngrënia e asaj që është therur mbi altare dhe të të kërkuarit e fatit me fall. Të gjitha këto që u përmendën janë mëkat. Sot dëshpërohen ata që nuk besojnë dhe kanë humbur çdo shpresë, që ju të heqni dorë prej fesë suaj. Mos u frikësoni prej tyre, por druani prej meje! Sot jua përsosa dispozitat e fesë suaj dhe jua plotësova dhuntinë Time ndaj jush. Jam i kënaqur që feja islame të jetë fé juaja. Por, kushdo që të jetë i shtrënguar nga uria, nuk ka mëkat. Se, Allahu është falës e mëshirues.” (5:3).
Po ashtu në Kuran:
“Të pyesin ty ç’është e lejueshme që të hanë ata. Thuaju: “Ju lejohet juve çdo gjë që është e bukur dhe ajo që për ju gjuajnë shtazët që i keni stërvitur për gjueti, duke qenë ato të mësuara me dijeninë që jua ka dhënë Allahu juve. Pra, hani atë që jua sjellin juve dhe përmendni emrin e Allahut!” (5:4); gjithashtu: “ata që ndjekin rrugën e Pejgamberit, lajmëtarit të fesë, i cili nuk di shkrim-lexim, të cilin ata e gjejnë të shënuar në Teurat dhe Inxhil. Ai i urdhëron ata të bëjnë vepra të mira dhe i ndalon nga të këqijat, ua lejon të mirat, e ua ndalon të këqijat.“ (7:157).
Çështja e therjes së kafshëve në Islam është diskutuar në detaje në Kuran dhe Sunet. Siç përmendet edhe therja e kafshëve nga hebrenjtë dhe të krishterët në Kuran: “Sot u janë lejuar gjërat e mira e të pastra. U janë lejuar juve edhe ushqimet e ithtarëve të Librit, si dhe ushqimet tuaja janë të lejuara për ata.” (5:5).
Nëse kafshët theren nga njerëz të tjerë përveç myslimanëve dhe Ithtarëve të Shkrimit, dijetarët myslimanë nga katër shkollat juridike sunite të njohura globalisht pajtohen se ngrënia e tyre është e ndaluar (haram).1
Librat islamë në fushën e jurisprudencës dhe dispozitat e përfshira në to sot janë lehtësisht të qasshme për të gjithë. Megjithatë, është e rëndësishme të merren parasysh rrethanat specifike të ditës së sotme përpara se të jepet një dispozitë. Megjithëse normat islame nuk ndryshojnë, situatat e jetës ndryshojnë. Prandaj, çdo situatë e re meriton trajtimin dhe vlerësimin e duhur.
Në legjislacionin austriak për Ligjin për Mbrojtjen e Kafshëve §32, fjala therje përdoret për vrasjen e lejuar ligjërisht të një kafshe, ku është për qëllim therja e kafshës pas trullosjes me ndonjë nga metodat e parapara ligjërisht. Ndërkaq therja pa trullosje të kafshës konceptohet ekskluzivisht si therje rituale, apriori ritual hebre, e më pastaj edhe si therje rituale islame.2
Problemi
Sipas një studimi3 të vitit 2018, rreth tri të katërtat (73%) e austriakëve besojnë në një Zot nga të gjitha besimet fetare, dhe rreth 4% janë ateistë të bindur. Këtu ka një shumicë të qartë të qytetarëve që me shumë gjasë i përkasin njërës prej tri feve monoteiste. Përqindjet e lartpërmendura luajnë një rol të rëndësishëm në gjetjen e dispozitës përkatëse rreth mishit, sepse ekziston një shumëllojshmëri e gjerë e metodave të vlerësimit dhe gjykimit në ligjbërjen islame. Njëri prej tyre është “dominimi i supozimit”غلبة الظن . Janë zhvilluar modele praktike në fikhun islam se si dominimi mbizotërues i supozimit mund të përdoret në arsyetimin në tema të ndryshme të fikhut si pastërtia, namazi, agjërimi, zekati, haxhillëku, dëshmitë, shitblerja, martesa dhe çështjet mjekësore. Për këtë arsye, teologët myslimanë dr. Garaibeh dhe dr. El-Fauri inkurajojnë4 të gjithë studiuesit që janë të interesuar në pyetjet aktuale rreth dispozitave islame, të shqyrtojnë modelin e dominimit të supozimit غلبة الظن . Ky studim synon të shqyrtojë këtë klauzolë me synimin për të arritur një analogji të justifikuar në lidhje me shoqërinë austriake dhe klauzolën islame të përmendur më sipër.
Një numër i madh i myslimanëve nuk e konsumojnë mishin, nëse është therur nga njerëz të panjohur ose nga jomyslimanë, edhe nëse është një kafshë, mishi i së cilës është i lejuar në Islam. Supozimet e tyre themelore janë si më poshtë:
- Shumica e të krishterëve sot nuk janë më fetarë. Ata nuk do të ndiqnin rregullat e fesë gjatë therjes.
- Kafshët vriten dhe nuk theren. Metodat e reja të përdorura në thertoret e kafshëve ngrenë dyshime se kafshët vriten nga trullosja ose asfiksimi. Ato nuk ia lehtësojnë dhimbjen kafshës gjatë therjes, por e shtojnë atë.5
Në vijim, tema e mishit hallall është paraqitur në pajtim me rrethanat aktuale në Austri dhe e strukturuar nga këndvështrimi islam. Si pjesë e kësaj pune, analizohen argumentet përkatëse pro-kundër në lidhje me rregulloret e therjes nëpër thertore për të gjetur një përgjigje të hulumtuar që korrespondon me vendimet juridike islame për temën e mishit hallall. Pyetja kryesore që duhet të përgjigjet është se si do të kategorizohet mishi i therur në Austri dhe nëse kjo përputhet me jurisprudencën islame.
Pyetja kërkimore
Problemi i parashtruar tregon se ky studim trajton çështjen e mishit hallall, me fokus të veçantë në rrethanat në Austri. Studimi hulumton temën nga këndvështrime të ndryshme. Perspektivat më të rëndësishme janë paraqitur dhe diskutuar së bashku me argumentet përkatëse.
Pyetja e kërkimit dhe nënpyetjet e saj synojnë të analizojnë më thellë temën për të arritur në një përfundim logjik dhe për t’iu afruar kështu situatës reale.
Teza e magjistraturës trajton çështjen e mëposhtme:
Si duhet të përkufizohen përgjithësisht mishi i Hallallit dhe i Haramit në dritën e zhvillimeve moderne?
Duke pasur parasysh faktin se çështja e mishit hallall është aktualisht e diskutueshme, veçanërisht në komunitetin mysliman në Evropë, ka nevojë për një ndërgjegjësim më të madh rreth tij. Pyetja kërkimore synon të shpjegojë sa vijon:
Çfarë nënkuptojnë termat ‘hallall’ dhe ‘haram’ në për gjithësi dhe në lidhje me produktet e mishit në veçanti? Cilat burime dhe parime islame janë të dobishme për gjetjen e dispozitave në lidhje me mishin hallall dhe haram?
Cilat janë dispozitat klasike islame lidhur me ngrënien e mishit dhe therjen e kafshëve?
Sa merret parasysh në ligjin islam trajtimi i kafshëve ose blegtoria, mbrojtja e kafshëve, ushqimi organik, mishi organik dhe të ngjashme? Çfarë ndikimi mund të ketë kjo te lejimi dhe ndalimi?
Çfarë baze japin rezultatet e pikave 1-3 për një krahasim objektiv të dispozitave islame dhe rrethanave austriake, sa i përket mishit? Gjatë një ekzaminimi krahasues të atyre, dallimet eventuale duhet të njihen dhe përkatësisht të trajtohen.
Hulumtimet aktuale
Kushdo që merret me temën e mishit hallall e kupton shpejt se tashmë janë bërë shumë kërkime, punime dhe deklarata për këtë temë. Ashtu siç studiuesit klasikë e kanë trajtuar këtë temë në librat e tyre, edhe studiuesit bashkëkohorë kanë kryer studime të ndryshme për atë.
Një fetva për mishin e importuar nga vendet perëndimore nga Komiteti i Përhershëm për Kërkime Shkencore dhe Fetva në Riad (1982) thotë se ky mish është i ndaluar për konsum dhe tregtim, sepse është i ngordhur dhe i papastër. Arsyet për këtë janë, nga njëra anë, se këto vende aktualisht refuzojnë fetë dhe rebelohen kundër tyre, dhe nga ana tjetër, se kafshët e therura të këtyre vendeve ose mbyten ose, vriten.6
Alauddin Murshidi, profesor për shëndetin e mishit, përfundon në publikimin e tij se është e detyrueshme që kafsha që theret të jetë e kthjellët dhe se në asnjë rrethanë nuk lejohet therja e kafshës së trullosur duke përdorur ndonjë metodë trullosëse.7
Në një konkluzion të ngjashëm vjen edhe Ikrima Sabri në hulumtimin e tij për Konferencën Ndërkombëtare të Akademisë së Fikhut Islam, në të cilën ai thekson qartë se filozofia e therjes në Perëndim bazohet në trullosjen para therjes, e cila ka dy rezultate negative: 1. Maltretimi ndaj kafshëve dhe dëmtimi i shëndetit të njeriut, sepse mishi nuk është i pastër nga gjaku dhe kjo krijon baktere toksike, 2. Vdekja e kafshës para therjes.8
Hulumtimi i Usama Dhafrullahut tregon se metodat trullosëse që nuk rezultojnë në vdekjen e kafshës dhe që synojnë të zvogëlojnë perceptimin e saj dhe të zvogëlojnë dhimbjen e saj nuk ndikojnë në shëndetin e kafshës së therur. Megjithatë, ai arrin në përfundimin se, nëse mishi vjen nga vendet perëndimore, nuk lejohet të hahet nëse nuk vërtetohet se është therur në mënyrë të saktë nga një i krishterë. Sipas tij, kjo është për shkak të devijimit të shumë krishterëve në këto vende drejt materializmit dhe sekularizmit.9
Gjetjet e hulumtimit të Soraja Butorac tregojnë se i gjithë procesi i therjes shihet ndryshe nga perspektiva myslimane dhe ajo perëndimore, pasi shumica e myslimanëve e refuzojnë trullosjen. Intervistat e realizuara me myslimanë e kanë bërë të nënkuptonte se kushtet e blegtorisë së sotme, të cilat klasifikohen si jo në përputhje me Islamin, mund të krijonin në të ardhmen një vegjetarianizëm islamik.10
Muhammed Haddad merret me çështjen e tesmijes (përmendja e emrit të Zotit para therjes) dhe arrin në përfundimin se kjo është një premisë e debatuar e shkollave klasike juridike dhe studiuesve bashkëkohorë.11
Muhammed El-Almani, i cili mori Gjermaninë si shembull në punimin e tij, supozon se kafshët e therura në Gjermani që më parë ishin trullosur, duhet të konsiderohen si cofëtina, duke cituar deklaratat e katër shkollave juridike islame.12
Këshilli Evropian për Fetva dhe Kërkime thekson se therja e lejuar fetarisht është therje pa trullosje dhe këshillon myslimanët në Perëndim të krijojnë thertore të veçanta në mënyrë që të kenë rehati shpirtërore dhe në këtë mënyrë të ruajnë identitetin e tyre fetar.13
Organet aktuale të certifikimit në Austri (IGGÖ – Komuniteti Fetar Islam në Austri, IIDC - Certifikimi i Dokumentacionit të Informacionit Islamik dhe HQC - Kontrolli i Cilësisë Hallall) mbështeten në standardet e tyre të veçanta për t’u dhënë produkteve të një kompanie statusin hallall përmes një vule të caktuar që duhet blerë me qira.
Duke pasur parasysh zhvillimet moderne të temës në fjalë, disa aspekte mbeten të hapura për qëllime studimore. Është e nevojshme në këtë rast një analizë se cilat janë përkufizimet e Islamit në lidhje me mishin hallall dhe çfarë rrethanash dhe mundësish ka në kontekstin austriak ose evropian në këtë drejtim.
METODA E KËRKIMIT
Gjatë tezës së masterit u kryen hapat e mëposhtëm:
- një analizë e rrethanave në Austri për të hulumtuar se deri në çfarë mase perceptimet aktuale të shoqërisë myslimane në lidhje me mishin hallall përputhen me burimet dhe parimet islame.
- një krahasim midis dispozitave klasike dhe rrethanave ose zhvillimeve të reja që mund të sjellin risi në rezultatin e dispozitave konkrete në kohën tonë ose në çështjen e konsumit të mishit.
- një analizë kritike e certifikatave aktuale për të zbuluar nëse ato kontribuojnë në thjeshtimin ose ndërlikimin e çështjes për myslimanët.
Për lëndën e studimit, u krye një kërkim i gjerë në literaturë për vërtetime, studime dhe opinione ekzistuese për të njëjtën fushë. Të dhënat e mbledhura më pas u përpunuan në mënyrë që të mund të interpretohen më tej. Mendimet dhe argumentet përkatëse u kategorizuan sistematikisht për t’i bërë më të lehta për t’u shoshitur dhe për t’u përgjigjur. Së fundmi, janë paraqitur rezultatet më të rëndësishme dhe përgjigjet e hulumtimit.
Pyetja kërkimore:
Si duhet të përkufizohen përgjithësisht mishi i Hallallit dhe i Haramit në dritën e zhvillimeve moderne?
Si arrihet në fakt te dispiozitat “hallall” dhe “haram”?
Domethënia e hallallit dhe haramit
Hallalli dhe harami luajnë rol të rëndësishëm në jetën e shumë myslimanëve. Njohja e kësaj është thelbësore për veprimet që duhen ndërmarrë ose jo, veçanërisht kur bëhet fjalë për të ushqyerit. Sipas një studimi, më shumë se 96% e myslimanëve të anketuar në Austri blejnë mish hallall.14 Kur diçka vlerësohet të jetë hallall ose haram, ajo ka ndikim konkret në jetën e njerëzve. Prandaj, ata që janë përgjegjës për jurisprudencën islame duhet të jenë shumë të ndjeshëm.
Në fikhun islam, të gjitha veprimet kategorizohen si vijon:
- Detyra (Farz, Vaxhib) - quhen gjithçka që Urdhërdhënësi i ka udhëzuar njerëzit të bëjnë me një urdhër të qartë. Kushdo që ndjek këtë udhëzim me bindjen e tij meriton të shpërblehet. Në të kundërtën, personi që i kundërshton këto udhëzime gjithashtu meriton të ndëshkohet, si p.sh.: pesë namazet ditore.
- Rekomandime (Mustehab) – janë çdo gjë që Urdhërdhënësi ka udhëzuar me urdhër jodefinitiv. Personi që ndjek këtë udhëzim me bindjen e tij meriton të shpërblehet. Mirëpo, personi që shkel udhëzime të tilla nuk ndëshkohet, p.sh.: donacionet vullnetare.
- Veprimet e lejuara (hallall, mubah) – janë veprime që nuk kanë të bëjnë fare me urdhëresa a ndalesa specifike. Ata që i praktikojnë ato nuk do të shpërblehen dhe ata që nuk e bëjnë këtë nuk do të ndëshkohen, si p.sh. P.sh.: ngrënia e ushqimit të përgatitur nga të krishterët dhe hebrenjtë.
- Veprimet e urryera (mekruh) - janë veprime që Ndaluesi i ka ndaluar njerëzit t’i bëjnë me një urdhër jo të prerë. Kushdo që ndjek këtë udhëzim me bindjen e tij meriton të shpërblehet. Mirëpo, personi që shkel udhëzime të tilla nuk do të ndëshkohet, p.sh.