Lisi i gjakut - Arber Shabanaj - E-Book
SONDERANGEBOT

Lisi i gjakut E-Book

Arber Shabanaj

0,0
3,99 €
Niedrigster Preis in 30 Tagen: 3,99 €

-100%
Sammeln Sie Punkte in unserem Gutscheinprogramm und kaufen Sie E-Books und Hörbücher mit bis zu 100% Rabatt.
Mehr erfahren.
Beschreibung

Për romanin "Lisi i gjakut" Një libër që e meriton t'i hapet një dritë botimi. Ka brenda përjetime të sinqerta, dokumenton ngjarje historike, ka narracion të mençur dhe ka ritëm, duke mos rënë në monotoni. Është një libër që lexuesit duhet t'i shkojë pranë. Autori ka punuar me seriozitet dhe përkushtim dhe, përveçse letërsi artistike, rrëfimtari na ka sjellë fakte dhe dëshmi shumë interesante …

Das E-Book können Sie in Legimi-Apps oder einer beliebigen App lesen, die das folgende Format unterstützen:

EPUB
MOBI

Seitenzahl: 470

Bewertungen
0,0
0
0
0
0
0
Mehr Informationen
Mehr Informationen
Legimi prüft nicht, ob Rezensionen von Nutzern stammen, die den betreffenden Titel tatsächlich gekauft oder gelesen/gehört haben. Wir entfernen aber gefälschte Rezensionen.



ARBER SHABANAJ

LISI I GJAKUT

(Kur fjalët vrasin)

ROMAN

Ky roman është i mbështetur në ngjarje të përjetuara.

Autori

Shtëpia Botuese “Neobooks”

Copyright © 2024 by Arber Shabanaj / Jembiter Liber®

Friedberg - Freistaat Bayern, Deutschland

Impressum:

Redaktor letrar: Arber Shabanaj / Jembiter Liber

Korrektor: Arber Shabanaj / Jembiter Liber

Design & Kopertina: Ermira Shabanaj

© Të gjitha të drejtat janë të autorit ®

Arber Shabanaj / Jembiter Liber

Të gjitha të drejtat janë të rezervuara. Nuk lejohet shumëfishimi i materialeve që përmban ky libër me asnjë mjet apo formë, as me fotokopje, as pjesërisht pa lejen me shkrim të autorit.

Erschienen bei Neobooks

Verfasser / Urheber:

Jembiter Liber

[email protected]

Tel.: +49 151 58 332 502

Arber Shabanaj / jembiter-liber

www.jembiter-liber.de

Parathënie

Të dashur lexues, më lejoni, t’ju prezentoj veprën time të botuar. Është një ndër veprat e para në fushë të letrave, por jo e para vepër e jetës s’ime. Se një tjetër vepër, si një ndër komandantët e një njësie të UÇK-së në Kosovë, unë me shokë, e kam shkruar gjatë luftës për liri. Pra, ky është një ditar i atyre ditëve të zjarrta, kur rinia kosovare (dhe jo vetëm ajo) hodhi pushkën në sup, dha edhe jetën, që të zbohej nga vatrat uzurpatori shekullor serb dhe liria të përflakte çdo zemër shqiptare.

Siç edhe do ta lexoni, libri ka shumë jetë, shumë dashuri e mbi të gjitha shumë vërtetësi. Detyra ndaj Kosovës së robëruar, me sakrificën sublime e heroizmin, janë të shkrira organikisht e bëjnë apel, sidomos për brezat që do të vijnë; që kurrë, në jetë të jetës, të mos harrojnë kalvarin shekullor të Kosovës për të mbërritur tek liria e pavarësia.

Si dëshmitar e protagonist i atyre viteve të zjarrta, unë, si autor, nuk lë të paidentifikuar asnjë problem. Edhe pse mbajta në beteja flamurin e UÇK-së, edhe pse isha komandant i një njësie luftarake, e cila ka shkruar me gjakun e dëshmorëve historikun e saj të lavdishëm, unë kam kurajon të ngre zërin e të themë disa gjëra për komandën eprore, se si disa punë e veprime duhej e mund të ishin bërë më mirë. Gjithsesi unë, si komandant i ri në moshë, por jo në mendime, jam krenar për çfarë kam bërë me shokët e mi. Këtë, përmes faqeve të librit, lexuesi e ndjen - sikurse e ndjen edhe modestinë - se çdokush, që kishte në deje gjak shqiptari, këtë sakrificë ia kishte borxh Atdheut dhe Kosovës.

Ngadalë, kaluan dy dekada, qëkur Kosova është e lirë dhe pranverat e para kjo tanimë i celebron si e pavarur. Në varret e të rënëve ka veç lule të freskëta. Kështu do të ketë në çdo stinë të vitit. Janë këto lulet e shpirtit të Kosovës, të cilat për të rënët nuk do të vyshken kurrë.

Të gjitha këto, unë si autor, i kam thënë me detaje dhe vërtetësi. Po ashtu, jam munduar që në këtë libër të punoj me kujdes në sferën e literaturës, duke bërë maksimumin tim që t’i qëndroj besnik Shqipes standarde. Duke ditur se historiati i kombit tonë, shumë të çmueshëm Shqiptar, tanimë nuk trashëgohet vetëm gojarisht, por - fatlumësisht - ky transferohet edhe me shkrim, kështu në veprën time janë të interpretuara në formën më të drejtë të vërtetat e pathëna, të cilat kanë ngelur në pluhurin e harresës. Por jam i bindur, se ky kapitull historik, kaq kapital, i emërtuar si panteon i një kombi, nuk lejohet kurrë që të tretet në pluhurat e harresës. Sepse vetëm kështu mundemi njëhere dhe përgjithmonë të mësojmë nga gabimet.

Libri përbën një kontribut, jo të papërfillshëm, për historikun e Luftës Çlirimtare të UÇK-së e të Kosovës martire dhe, si i tillë, shpresoj se çmohet nga lexuesit, që do ta marrin në duar. Me nderime dhe respekt, ju falënderoj!

Autori: Arber Shabanaj

Kapitulli I

Edhe pse Pranverë, në atë qytet të huaj, nuk e ndieja fare ardhjen e saj. Nuk ma kënaqte syrin, si më parë, asgjë, madje as arkitektura e lakmueshme e ndërtesave, ku tradita ndërtimore vinte aq natyrshëm me modernen, por as resurset e tjera, që e bënin të vizitueshëm këtë qytet nga turistët.

Jo vetëm se isha një i huaj, por sepse qindra e mijëra kilometra larg, Kosovës sime i kishte shkuar thika në asht. Andej NATO-ja kishte nisur bombardimet mbi Serbinë, në Kosovë paramilitarët serbë e udbashët, të mbështetur nga një makineri ushtarake e kobshme dhe e pashpirt, digjnin me unat e urrejtjes shekullore fshatra e qytete, zbonin nga vatrat e tyre me dhjetra mijëra familje shqiptare.

Pra, s’kisha se si ta shijoja pranverën në atë qytet të huaj. E ndërsa sytë i kisha mbase edhe të mbushur me lot e mendjen në Gjakovën time, dëgjova një zë jo fort të panjohur për mua, që më tha:

⹂O Arber, allahile, a sytë e kaltërt i paske a?”

⹂Jo, jo, mua më duken jeshile”, ia priti një tjetër që më ishte ulur përballë, prej kategorisë së atyre, të cilët ishin mësuar që luftën për çlirimin e Kosovës ta bënin nëpër tavolina kafeneje të klubeve të Botës.

Ngase nuk doja ta zgjasja me ta e as të më shihnin sytë e përlotur, përgjigjen ia ktheva Anitës:

⹂Jo, Anitë, ngase ndoshta më ka reflektuar Dielli fytyrën e sytë duken ashtu.”

Por ai, i cili akoma nuk e kishte kuptuar, se për ç’arsye nga të gjithë çuhej “Sharlatan”, ishte më i rafinuar se unë për të tjerrë bisedën e për ta çuar në atë hulli që donte ai:

⹂Kah flet ti, Arber, mua më duket se nuk kuptoj hiç, se unë flas ‘katundarçe’.”

Se ku gjuajti ai me fjalë, unë e kuptova. Qeshë edukuar të flisja sipas normave letrare e ai, jo vetëm njëherë, ma kishte shprehur një mendim të tillë, se, kinse, mënyra e ime e të folurit nuk kuptohej nga njerëzit e thjeshtë.

Shpërfilljen time ai më së shumti e mori përmes fjalëve të Teutës, e cila tha:

⹂Mylle, more ti, ky flet bash bukur.”

Atëhere “Sharlatani” i hoqi thonjëzat që i vija unë, dhe iu vërsul:

⹂Shuj, moj ti, se po ta ... nanën!”

Ato fjalë të pista natyrisht që nuk ishin të denja për njerëz seriozë e aq më shumë për një mashkull përballë një femre.

⹂Ju lutem, të mos i japim ngjyrë tjetër qëndrimit tonë. Pos tjerash, ofendimin e kemi kopjuar nga shkijet e ndoshta, tani që ti e zure në gojë nënën e Teutës, ajo mund të ketë mbaruar diku nëpër ato shkrepa lufte, nën granatimet serbe”, ndërhyri Ardiani, i cili më ishte ulur pranë. Ky ma kënaqte me të vërtetë shpirtin. Edhe pse më i ri se unë në moshë, shpesh herë e pyesja për shumëçka. Ardiani studionte në gjimnazin e qytetit dhe më vonë e kishte ndërmend të vijonte universitetin. Kishte ardhur që në moshën 15. vjeçare në Gjermani dhe këtu po formohej si njeri e si atdhetar. Kjo pjekuri e tij më lumturonte, jo thjesht se e kisha vëlla, por duke marrë parasysh, se këtu një pjesë e mirë e shoqërisë është e degjeneruar e plot me vese. Ardiani nuk i ishte dorëzuar kurrë lakmimeve të kësaj jete dhe e ka gjetur veten.

⹂Ty të faleminderit, o Ardian, për përkrahjen që po më bën, por mos kij dert, se nëna e ime është duke fjetur në gjumë deri në ora dymbëdhjetë”, ndërhyri Teuta.

⹂Këtu e paske nënën?”, pyeti Ardiani me çiltërsinë e një adoleshenti.

⹂Po, po, nënën, babain, vëllanë ... Të gjithë këtu janë”, ia ktheu ajo.

Ndjehesha keq me “Sharlatanin” në një tavolinë. Ky njeri më ngjante fort i shpifur. Ishte i cekët, mashtrues, i paturpshëm, i cili gjithmonë përpiqej ta shiste sapunin për djathë, e këtë ai e bënte sidomos para turmës. Shkurt një batakçi, që nuk e kishte shokun!

⹂A e dini, se ne shqiptarët duam vetëm të hamë kot!”, kumtoi ai, sikur medemek se ç’po thoshte. ⹂Rrijmë këtu, ulemi në ‘Eis-Cafe’, te italiani ... e dikush tjetër lufton për ne.”

Ma neveriti edhe më shumë, me rreshtat që i tha. Ky njeri me kaq shumë komplekse vetiake, mendoj se i takon asaj specieje, e cila nuk e din se çfarë don.

⹂Po përse ti rrin akoma këtu?”, e pyeti beftë Mehmeti.

Tjetri sikur u tkurr, por shpejt e mori veten pas pyetjes së Mehmetit, një shoku të Ardianit. Ishte ky një djalë i sjellshëm e i matur. Edhe pse s’kishte përgatitje të lartë shkollore, gjërat i kuptonte si s’ka më mirë.

⹂A, unë, a?”, pyeti më shumë veten e tij se sa bashkëbiseduesin “Sharlatani”, ngaqë, siç dukej, nuk e priti atë pyetje. Por e tradhëtoi vetja, pasi pyetja e tij u bë me zë të lartë, çka ju shkon për shtat njerëzve, të cilët, në mungesë të argumentit, e ngrenë tonin në kurbën më të lartë.

⹂Po, po, vetë ti!”, vazhdoi Mehmeti i vendosur në atë që tha.

Por “Sharlatani-sharlatan”. U përdrodh si bolla e i iku lakut të asaj pyetjeje, duke thënë:

⹂Keni me e pa ju se, autobusi i parë, i cili do të niset me vullnetarë për në Kosovë, edhe unë do të shkoj me të! E atëherë?!”

Edhe pse tepër i rafinuar, hera-herës harronte se ata që i kishte përballë e njihnin se sa i vlente lëkura.

As Mehmeti dhe as ne nuk i besonim përbetimeve të tij. Madje, shoku i Ardianit, ia rikujtoi edhe një episodë, jo të parëndësishëme, nga kampionati i fundit botëror i futbollit.

“Sharlatani” u tkurr sërish. Këtë e kishte kritikuar edhe një kosovar tjetër, për faktin se ky një ekipë shumë skurile të futbollit në atë kampionat kishte simpatizuar, por shpresonte, që Mehmeti të mos ia zbulonte petët lakrorit. Jo nga frika, por nga inati për atë që “Sharlatani” sekretin e vet nuk kishte mundur rregullisht ta e fshihte.

⹂Po shka, ej?!”, se si i shpëtoi “Sharlatanit” kjo pyetje dhe fytyra para gjithë atyre njerëzve rreth tavolinave i pësoi një deformim për t’u mëshiruar.

⹂Si, çfarë?”, vijoi Mehmeti. ⹂Kur luanin jugosllavët, ti lije punën atë ditë për të parë ndeshjen. Po kur ata fitonin?” Mehmeti bëri një pauzë, si për të dashur të nxjerrë më në dritë të vërtetën. ⹂Kur ata fitonin, ti thoje: ‘Eh, shkijet e fëlliqtë, a fituat a?’, por ne që të njihnim, ty gazmendin e admirimin t’i shikonim në mimikën e fytyrës tënde ...”

⹂Mehmet, zgjidhi fjalët”, u përpoq të shantazhonte “Sharlatani”, me fytyrën e skuqur si speci.

Në atë ambient kafeneje, ku prej toneve të ngritura të bashkëbiseduesve, po shqetësonim edhe tavolinat e tjera, duhej të ndërhyja e t’i qetësoja, që të mos u jepnim shkas klientëve e pronarëve të lokalit të mendonin keq për ne e aq më shumë të vinin e të na këshillonin, si të ishim adoleshentë. Po përmbahej Mehmeti:

⹂Ti Sharlatan po na turpëron edhe në aspektin moral. Sheh një femër dhe i vardisesh aman o Zot, sa harron edhe emrin tënd!”

“Sharlatani”, duke ia ditur vetes edhe këtë diagnozë, nuk u përgjigj në çast, e, nga pauza që u krijua, unë gjeta rastin të ndërhyja, ta largoja bisedën nga ngacmimet vetjake e ta drejtoja atje ku na interesonte më shumë, tek organizimi i vullnetarëve për t’u nisur në Kosovë. Rasti ishte më se i përshtatshëm, pasi në tavolinën tonë u bashkuan edhe disa të tjerë.

⹂Vëllezër”, thashë unë qetësisht, ⹂lufta nuk bëhet prej këtu e aq më pak duke pirë kafe në një ‘Eis-Cafe’ në Gjermani.”

⹂Të lumtë goja, Arber”, më përgëzoi Anita, një vajzë kosovare shpuzë e gjallë, ndërsa unë po vazhdoja:

⹂Para së gjithash armiku nuk mposhtet me ofendime e as, largo Zot, duke shprehë simpati për të! Armiku duhet vlerësuar armik. Ngase vetëm në këtë formë njeriu mund të mbetet i koncentruar e të përgatitet për atdheun e vet. E sotmja na kërkon të bashkuar. Edhe kush ka ndonjë mëkatë, le të shkojë e ta lajë atje ku kërcet pushka për liri! Se kjo luftë, vëllezër e motra, kërkon bashkim zemrash, strategji e disciplinë.”

⹂A po e dëgjon, ‘Sharlatan’?”, ndërhyri Mehmeti. ⹂Arberi është oficer rezervist, kupton shumë nga arti ushtarak e nuk flet si ti, si kodra mbas bregut.”

⹂Po, ‘Sharlatan’, uji i qetë është më i thellë”, ndërhyri Ardiani. ⹂Unë të kam treguar, por siç duket e paske harruar, ose bën sikur s’të kujtohet. Arberi nuk flet për veten e vet, por ky është me gradë ushtarake toger rezervist. Këtë gradë e posedon sikurse edhe shqiptarët e tjerë nga Kosova, qëmoti me shkathtësi në pikëpamje ushtarake. E ka marrë mu nga kjo ushtri, e cila neve sot po na lufton haptazi, pra frontalisht dhe fizikisht ... Ushtria serbe ka gjeneralë të zotë, por neve dashuria për Kosovën e për lirinë do të na bëjë strategë të fitores, ndërsa armiqët strategë të dështimit. Një toger si Arberi, që ka në zemër atdheun e tij, është gjeneral mbi gjeneralë ...”

Ardiani, nga dashuria për Kosovën e respekti që kishte për mua, gati kaloi në emfazë, prandaj e gjeta me vend të ndërhyja, pasi krahasimet në mes të togerit e gjeneralit i ndante një det i tërë.

⹂Ardian, s’desha të ta ndërpres fjalën, por vetëm të kemi parasyshë se lavdërimet nuk janë cilësi e njerëzve krijues.”

Të pranishmit në tavolinë kishin hapur sytë, përderisa unë po këshilloja nën prezencën e të tjerëve tim vëlla. ⹂E di”, vijova unë, ⹂se çdo njeri e ka vlerën apo antivlerën e tij. Të gjithë ata i karakterizon, së pari, vepra e tyre. Vepra është pasqyra e të gjitha cilësive njerëzore,” vijova unë.

⹂Kështu, kaq bukur fliste edhe babai i tij”, dëgjova një thënie nga dikush rreth tavolinës. E vura re se kush qe dhe më erdhi mirë. Prandaj e vazhdova mendimin, jo aq për t’i bërë biografinë t’im eti, sesa për t’a drejtuar bisedën andej nga doja unë:

⹂Babai im, mor lum miku, ka punuar si mësues e drejtor shkolle. Pra, si pedagog ka edukuar gjenerata të tëra të pas Luftës së Dytë Botërore. E mes tyre sot ka edhe njerëz të shquar, të penës e të pushkës. E rruga e tij për arsimimin në gjuhën Shqipe të brezit të ri të Kosovës, nuk ka qenë e lehtë e as pa rreziqe. E dini ju se sa të vështirë e ka pasë babai im sidomos në kohën e Rankoviçit? Sigurisht që e dini fort mirë! Se në ato kushte, përmes gjuhës Shqipe, i duhej t’jua mëkonte nxënësve dashurinë për atdheun e lirinë. Një mal me vështirësi paraqiste ‘Elborati’ famëkeq i Çubriloviçit, por im atë, bashkë me qindra pedagogë të tjerë, arriti që t’a përballonte atë situatë të pamundur.”

Dikush tjetër erdhi e u shtua rreth tavolinës. E përshëndeta me kokë dhe vijova:

⹂Familja dhe atdheu janë një. Serbi po na zbon nga vatra, por ne kudo që të jemi, të marrim një grusht dhe nga Kosova e një grusht hi nga vatra ...”

Nuk ma kishte marrë mendja se fjala ime do të kishte një ndikim të tillë tek ata që më qarkonin. E kuptoja; nuk ishte koha për gërvishtje rreshkash të plagëve të mosmirëkuptimit e të inatosjeve ndërmjet nesh, por ishin ditë të bashkimit. Gjithsesi ajo ditë, mendova unë, me atë ç’ishte thënë, përbënte një gur themeli për kështjellën e bashkimit të shqiptarëve edhe në këtë qytet të huaj gjerman, i cili mbase na shihte me mospërfillje, edhe pse në aparencë shfaqej ndryshe.

⹂Mua më pëlqeu qëndrimi këtu me ju”, iu drejtova të pranishmëve. ⹂Ç’thamë sot, po e konsideroj si një bisedë të lënë përgjysëm.”

Ardiani e kuptoi se unë kontaktit me ta i kisha dhënë fund, u ngrit bashkë me mua dhe, si u përshëndetëm, ne dolëm.

U nisëm për tek “Enti i të Huajve”, atje në Wuppertal. Qëkur njësitet ajrore të NATO-s bombardonin pikat strategjike ushtarake e policore të së ashtuçuajturës Jugosllavi, për fatin apo fatkeqësinë e shumë familjeve të përndjekura kosovare ne nuk kishim fare informacione. Trupat ushtarako-policore të armikut, si shenjë hakmarrjeje për atakimet e NATO-s, i zbonin dhunshëm shqiptarët nga shtëpitë, nga trojet e tyre shekullore dhe i deportonin për në drejtime të papërcaktuara. Flitej e informohej për trajtime ç’njerëzore mbi shqiptarët e pambrojtur.

Edhe në qytetin e Gjakovës, në vendlindjen time, forcat e egra policore-ushtarake serbe, kishin granatuar me artileri të rëndë pjesë të ndryshme të qytetit, edhe lagjen ku banonte familja ime, të cilen, sikurse dhjetëra e mijëra familje të tjera, e kishin deportuar me dhunë në drejtim të Shqipërisë dhe se vëllai im, Aleksandri, ishte vrarë ... O Zot, jo! ...

Me këto mendime në kokë dhe me një ankth në shpirt, vëllai im dhe unë, vazhduam drejt “Entit të të Huajve” që të informoheshim sadopak mbi gjendjen aktuale. Këtu njihja një njeri autoritar, zotin Mehler. Ky ishtë njëherit edhe zyrtari kryesor i këtij organizmi. Duke u bazuar në thënien e babait tim se “secili është prezentues i vetvetes, familjes e i popullit të vet”, zoti Mehler, ndoshta tek unë kishte pëlqyer mosshtirjen dhe saktësinë, veti të cilat gjermanët vetë aq për zemër i kanë.

Përderisa po telefononte, po i studioja paksa mimikën. Porsa përfundoi bisedën, me një gjest miqësor, ai na afroi mua e vëllait tim të uleshim përballë tij. Fytyra pa vetulla fare, të impononte bindjen se ngjyrën e trupit dhe të qimeve të tij ia kishte gatuar Poli i Veriut. Pra kishim përpara një nëpunës jo fort të parëndësishëm, por tipik gjerman.

Nga ato kontakte që kisha patur me të, më kishte lënë të kuptoja se, së pari vlenë njëri-tjetri e pastaj ndoshta edhe i huaji! Vetëm kështu të respekton eminenca e tillë! Kuptohet se për të arritur në një deduksion kësidore, njeriu duhet të zotërojë përgatitje bashkëkohëse. Zoti Mehler përkundrazi mua më ndihmonte gjithnjë, sa herë që më duhej ndihma e tij. Mirëpo, së pari, njeriu do duhej të vlerësonte të vërtetën, të drejtën e pastaj të shikojë interesat e veta e jo të ndodhë e kundërta.

⹂Në cilin vend përafërsisht gjenden pjesëtarët e familjes suaj, zoti Shabanaj?”, më pyeti zotëri Mehler.

⹂Nuk po e kuptoj qëllimin e pyetjes, zotëri”, iu përgjegja unë.

⹂Pas përndjekjes me dhunë”, kompletoi ai pyetjen e vet, ⹂në cilin drejtim janë orientuar të përndjekurit dhe në cilin vend ata mund të gjenden sot?”

⹂Flitet se një masë popullore dhjetra mijëshe, duke ndihmuar njëri-tjetrin, janë drejtuar për në Shqipëri. Po ndoshta e kam gabim e janë disa qindra mijëra njerëz. Shumë familje të tjera”, vazhdova unë, ⹂rrugëtojnë në Qiell të hapur për në Maqedoni. Në mes të këtij eksodi biblik, që po përjeton populli Shqiptar i Kosovës, është edhe familja ime. Më duket se janë përndjekur në drejtim të Shqipërisë e janë vendosur në qytetet Krumë apo Kukës. Them më duket, zotëri, ngase ka kohë qëkur lidhjet komunikative me familjen time nuk mundem të i realizoj dot.”

Ai, sapo mori këto informacione, filloi me hulumtimet e veta. Kaluan kështu një orë e gjysëm e nuk arriti dot të sigurojë përmes telefonit informacionin e saktë. Megjithatë, si çdo gjerman, ishte këmbëngulës. Meqë po ndodhte kështu, më kërkoi që emrat e qyteteve Krumë, Kukës, por dhe emrat e pjesëtarëve të familjes, t’ia shënoja të sakta në një fletë formati që më vuri mbi tavolinë. Zoti Mehler, me dëshirën e mirë që të na ndihmonte, i mori vetes afërsisht dy orë kohë. E sërish vazhdonte të ndërtonte kontaktin me Kryqin e Kuq Gjerman, me qëndrën informative në Bonn e Berlin e me pika të tjera informative, prej të cilave shpresonte të nxirrte diçka. Telefonoj edhe në një bashkësi tjetër në Köln. Përkundër insistimit, të gjithë i jepnin përgjigje negative! Por gjermani-gjerman! Këmbëngul. Këmbëngul, sepse beson. Dhe ia arriti të ndërtonte kontaktin edhe me Tiranën, por sërish shurdhëri informative. E në këtë çast, kur as Tirana s’pëpëtiu dot, ai më ngjau me atë ushtarin gjerman të Luftës së Dytë Botërore, i cili kishte ngritur flamurin e bardhë të kapitullimit. U dorëzua. Psherëtiu me keqardhje e u shemb në karrigen e tij rrotulluese.

⹂Zoti Shabanaj”, nisi ai të më kumtonte me keqardhje, të cilën ia shprehte edhe fytyra e tij polare, ⹂në Shqipëri qënkan kushtet aq mjeruese e mundësi apo qendër informative për të përndjekurit, njëherë për njëherë, nuk po ekzistoka! Më vjen keqë për këtë dhe do të doja të të ndihmoja ...”

E falënderuam, u përshëndetëm dhe dolëm përjashta edhe më të drobitur shpirtërisht. Rrugës flisja me keqardhje me vëllain tim mbi realitetin e shtetit amë, edhe pse kishim dëgjuar gjëra të ngjashme të mungesës së infrastrukturës së nevojshme informative. Por kaq e mjeruar të jetë gjendja e të mos ekzistojë ndonjë organizëm, të paktën ndonjë qendër, e cila do t’i kishte në evidencë bashkëkombasit e përndjekur që kishin hyrë në territorin shqiptar, të shtetit amë, siç ishim mësuar ne ta çuanim Shqipërinë tonë të dashur, të cilen ndër mote, për vite me radhë e ëndërruam, që kur mësuam atëbotë shkrim dhe këndim ...

19 prill 1999. E hënë. Aty rreth orës 19:30 ndodhesha në Bashkësinë Shqiptare “7 Shtatori”, atje në Wuppertal. E di fort mirë se shqiptarët i kanë përçarë partitë politike. Sidomos individët e atillë, të cilët sistemin edukativo-arësimor nuk e kanë vijuar deri në fund. Pra, ata të cilët kishin kryer disa klasë me të shtyrë apo kurse të mangëta të asaj kohe! Atëbotë edhe mësuesi, në disa treva kosovare, shpeshherë nuk ka qenë as vetë i përgatitur në atë nivel të duhur, madje as gjuhën Shqipe s’e ka zotëruar mirë. Ky ka qenë shtrat i pëlqyeshëm për regjimin okupator, në mënyrë që edhe në Kosovë të mos krijohej një gjeneratë cilësore. Pra, ky “Elaborat” sistematik na ka kushtuar shumë. Ata ish nxënës të atyre farë ish mësuesve kanë qenë fort të lumtur kur “Byroja për Punësim” nëpër qytete të ndryshme të Kosovës hapi lajmin e nisi punën për të çuar në Gjermani e Zvicër, por edhe në shtete të tjera të Europës, punëtorë sezonalë! Kjo krijoi një bumerang të pashoq. Sidomos në vitet 1960-1970, për njerëzit në nevojë, kjo thirrje ogurzezë ka qenë më e ëmbël se përralla e “hapjes së Qiellit”! Të paktët e patën fituar të drejtën atëherë. Ka mbërritur kosovari këtu, në Gjermani, ka njohur vetëm itinerarin dyqan “Aldi”, banesë dhe fabrikë, ku edhe e ka kaluar gati gjithë ditën. Protagonistët e atillë nuk kanë pasur fare kohë, më mirë të themi kapacitete, që ta prezantojnë shqiptarin para shteteve pritëse - e sidomos para shtetit Gjerman - me ato virtyte të pastra e të mrekullueshme, të cilat e karakterizojnë shqiptarin.

Shumica e këtyre bashkëkombasve, ngase të shtyrë edhe nga kushtet e vështira ekonomike të familjeve nga vinin, në mungesë shkollimi solid e edukate qytetare e atdhetare, dje e prezantonin veten si “jugosllavë”. E, edhe pala gjermane është befasuar kur këta “jugosllavë”, mbas plot 20 viteve (aty rreth viteve 1990), vendosën të prezantohen si shqiptarë!!! E njerëzit e atillë sot lexojnë gazetën dhe flasin, besa, me zë të lartë nëpër mjedise publike. Kjo edhe i sjell këta njerëz te tensioni i ngritur-përçarja, grindja etj. Pra, nëpër këto bashkësi marrin pjesë të gjitha klasat, regjionet dhe kokat e ndryshme të popullit tim.

Shumica e gjërave shkojnë ashtu siç shkuan, ngase e dijnë se tek ne nuk respektohet ligji e për fat të keq nuk ka ndonjë ligj, i cili do ta ulte secilin në vendin ku e meriton e askush më nuk do t’i shpifej zanatit të vet!

Të them të drejtën, unë shkoja në bashkësinë e sipërcekur të takoja ndonjë të njohur. Shkoja shumë rrallë, e dija se e kisha flamurin kombëtar para syve e në këso mjedisesh flitej ëmbël gjuha amtare Shqipe! Mbase dukuri të tilla më binin qetësisht në sy, meqenëse, para së gjithash, unë jam dhe isha gjithnjë jopartiak.

Kërkoja Agim Hazirin. Ai jetonte në Wuppertal. Me prejardhje ishte nga Ferizaji i Republikës së Kosovës dhe flitej se ai atje kishte ligjëruar si mësues. Ishte njeri i qetë, i zgjuar dhe familjar i mirë. Njëherit kisha marrë vesh se zotëriu në fjalë kishte kontakt me “Shtabin e Emergjencës” këtu në Dyaspor.

Pasi u informova se Agimi nuk ndodhej aty, qëndrova pakë në ambientin e sipërpërmendur, pa ia thënë askujt shkakun e ardhjes sime. Pas afro një ore soditjeje e meditimi, po zbrisja shkallët e asaj ndërtese të vjetër, në katin e tretë të së cilës gjendej bashkësia e jonë. Aty, diku nëpër shkallë, takova zotninë që po kërkoja.

⹂Mirëmbrëma, Agim!”

⹂Mirëmbrëma, Arber!”

Ashtu siç është zakoni, e pyetëm njëri-tjetrin për mirëqënien e shëndetin, me dashamirësi e sinqeritet.

⹂Po çfarë të solli këtu, Arber? Po kërkoje njeri apo erdhe të më takoje mua?”

⹂Të t’them të drejtën, kjo e dyta përshtatet më tepër”, iu përgjigja unë.

⹂Kam nderin, Arber”, tha ai, ndërkohë që më ftoi të shkonim të uleshim diku.

⹂Jo, jo, të falemnderit, por sot nuk kam kohë!”

⹂Çfarë mund të bëj për ty, pra, Arber?!”

⹂Për mua dhe popullin tim, Agim!”, ia ktheva unë dhe vazhdova: ⹂Ti e di, se ka kohë qëkur atje në Kosovë po luftohet. Me dhjetra e qindra i bashkëngjiten dita-ditës më tepër, radhëve të UÇK-së. Shumë pjesëtarë të popullit tonë i kanë vrarë e mijëra e mijëra i kanë përndjekur. Edhe ata të cilët unë e ti deri dje i kemi njohur dhe i kemi patur fqinj. Tek ne, Agim, thonë: ‘Kur të ndodh në fqinj, prite edhe ti në shtëpi’ ... Shkurt, për familjen time s’di asgjë! Ne jetojmë në Gjakovë, afër mëmëdheut, pra afër kufirit, e më duket se i kanë përndjekur në drejtim të Shqipërisë. NATO-ja ka interesat e veta gjeostrategjike e politike. Ndërsa unë, ti e kushdo që ka në deje gjak shqiptari kemi interesat tona kombëtare e mbi të gjitha jeta e jonë s’ka vlerë pa lirinë, sado e mirë qoftë ajo, brenda në shtet apo në emigracion.”

Fjalët e mia kishin ndikim tek bashkëbiseduesi, i cili pohonte me një të tundur koke.

⹂E ndiej të investoj potencialin tim në frontin e luftës, vëlla Agim! Si epror ushtarak rezervist, unë me shokë të tjerë do të luftojmë kundër armatës së cilës ia njoh organikën, strategjinë, armatimin e objektivin. Urrejtja në mes nesh e okupatorit është tepër e herëshme e këtë nuk mundet asnjë forcë ushtarake apo diplomaci e huaj ta kthejë në dashuri. Helmi nuk bëhet mjaltë, o vëlla! As gjaku nuk bëhet ujë! As Kosova nuk bëhet Serbi!”

⹂Pra, ne, shqiptarët, jemi protagonistët e realitetit e të zhvillimit të ri historik. I kemi parasysh vendimet e mendimet e kristalizuara të shteteve perëndimore. Ne të dy, Agim, e kemi provuar mbi supe dhe e kemi parë me sytë tanë shpeshherë trajtimin përçmues që na bëjnë gjermanët! E dijmë fort mirë se këtu ndodh që një individ gjerman të flasë e njollosë popullin Shqiptar si pa gjë të keq! E shqiptarët e shkretë, që nuk e zotërojnë mirë gjuhën Gjermane, vetëm struken e ngelin pa tekst. Ngase mendojnë se ata po na mbajnë neve me bukë, se po na e sjellin lirinë me aleatë të tjerë. Por mendoj se ky qëndrim i tyre është i gabuar. Gjermanët e jo vetëm ata - pra Europa plakë dhe Europa e re -, po lajnë ndaj nesh një borxh shekullor. Pra bijtë po lajnë borxhin e gjyshërve të tyre! E megjithatë, ka sërish jo pak gjermanë, që në mendim e - po iu la shteg - edhe në veprim, do të instalonin ndaj nesh një gjenocid të pashembullt. Unë këtë e ndiej sa herë që flas për realitetin në Kosovë, se si tkurren kur kritikoj shkaun ... Këta janë ata të cilët edhe ty Agim të kanë kritikuar kur të ka lindur fëmiu i fundit. Të kanë thënë se; ‘kosovarët po lindin shumë fëmijë’. Kështu kanë vepruar edhe shkijet me ne. I ka tërbuar gjithnjë mosha e re e Kosovës. Ia kanë pasë frikën asaj. E sa për gjermanët: Ata nuk na mbajnë neve me bukë, se ne bukën e fitojmë vetë me djersën tonë. Baballarët e tyre dje nën Hitlerin kanë bërë një kasaphanë të llahtarshme mbi Europë, duke i shkaktuar mbi 40 milion viktima, ndërsa ne na lanë të robëruar e analfabetë ...”

Mes nesh për një çast u krijua një pauzë. Ndaj e gjykova me vend t’i thoja Agimit:

⹂Më fal, ndoshta fola shumë e të mërzita, por ti e di fort mirë se unë vetëm me ty flas mbi gjëra të tilla kapitale, ngase mendoj se ti ke potencial t’i asimilosh këto e të debatosh me mua atdhetarisht. Me një fjali; populli ynë në Kosovë, i pret gjermanët si shpëtimtarë e i konsideron si idhuj, por shumica s’e dinë realitetin me sistem.”

Agimi më veshtronte, ndërsa dorën nuk ma hiqte nga supi.

⹂Ne të dy e kuptojmë se sistemet e brezat njerëzorë ndryshojnë, por ne duhet të bindemi se më së shumti veprimin ndaj nesh ata e bëjnë për interesat e tyre gjeopolitike, apo për të shlyer deri në një farë mase atë që të thashë: Borxhin e vjetër që na kanë ... Kështuqë, potenciali im, sado modest, i duhet Kosovës e UÇK-së, dhe, të lutem Agim, në njësitin e parë, që do të formosh për t’u nisur drejt Kosovës, të më regjistrosh edhe mua.”

E ndjeva se si i shkëlqeu fytyra mikut tim.

⹂Arber, më kënaqe, të faleminderit. Nëse Kosova do të kishte shumë djem si ty, nuk do mbetej deri më tani e robëruar! Arber atje - për fat të keq, më duhet të të them, ngase me ty flas edhe unë pa doreza -, ka shumë anarki e korrupsion. E nga këto simptome nuk ka shpëtuar as UÇK-ja. Pra, ia kam frikën, se atje as ti nuk do të trajtohesh për sa e meriton. Sepse e ka marrë i pashkolluari e i pakualifikuari ushtarakisht komandën, mosvlerësimi do të ketë një peshë jo aq të vogël. Aq më shumë kur mendon se ai është i armatosur dhe e ka të drejtën edhe të urdhërojë. Pra, unë mendoj se ti, me aftësitë e atdhetarizmin që të karakterizojnë, Kosovës mund t’i shërbesh edhe nga këtu, madje edhe përkrah meje në organizimin e njësiteve vullnetare. Puna është shtuar shumë e mua më duhet një kuadër si ti, Arber!”

Nuk e prisja një propozim të tillë. Shpirtërisht e mendërisht unë isha nisur drejt Kosovës! E ndërsa mendoja kështu, Agimi vijoi:

⹂Ti më duhesh këtu, sepse, për fat të keq, punët nuk shkojnë ashtu siç duhet. Le të shkojnë, veç patriotëve të vërtetë, djemve e vajzave të ndershme kosovare, edhe këta që po bredhin rrugëve të Europës - të papunë, të pa shkollë -, të cilët si magneti thithin çdo gjë të keqe që ka shoqëria gjermane! Kanë kaq kohë këtu e s’dijnë të lidhin as dy fjalë në gjuhën Gjermane, këta të cilët nuk kontribuojnë as për fondin ‘Vendlindja Thërret’ e për asgjë tjetër.”

⹂Të falemnderit Agim për propozimin që më bërë e për konsideratën që ke për mua. Por po të them se unë nuk jam notar i tjetrit e, së dyti, nëse unë merrem me tjetrin, atëhere humbas kohën për t’u marrë me veten time. Secili i var rrobat në gozhdën e vet! Pra, unë e kam vendosur përfundimisht dhe të lutem të e realizosh, që njësitit të parë, që do të organizosh drejt Kosovës, t’i bashkangjitem edhe unë!”

⹂Arber, të lutem më dëgjo!”, këmbëngulte Agimi. ⹂Për ty nuk janë pjekur kushtet që të shkosh tani për tani në Kosovë. Mendoje këtë për një kohë më të vonë. Dhe mos harro se ti ke vendpunimin këtu, banesën dhe investon për shkollën e jetën e tënd vëllai.”

⹂Në fakultetin juridik, Agim, atëbotë si student, mësonim se ‘në shtetin në të cilin nuk vepron kushtetuta e njëherit nuk respektohet ligji - si pasojë - bashkëudhëtarë të vazhdueshëm janë dhuna dhe anarkia’ .... I kam parasysh rrezikun dhe trajtimet që na presin atje. Unë s’po shkoj në dasëm! Dua që titullin e eprorit ushtarak t’ia jap luftës për liri e jo gjoksit tim si dekoratë. Se atë titull e arrita me sakrifica, punë e vullnet, edhe pse nuk qeshë më shumë se 19-vjeç! Nëse unë teorinë e djeshme do e shndërroj në praktikën e nesërme në frontin e luftës, do të jetë diçka e dobishme. Atje, me siguri se, ushtarët që unë do t’i kem nën komandë, do t’më shohin e t’më trajtojnë jo vetëm si epror, por edhe si shok e vëlla. Lufta, siç e kuptoj unë, e sjellë një çast, që i shkrin gradat dhe farkëton heroizmin. Një zë i brendshëm më thërret e më thotë: ‘Nisu, Kosova të pret!’. Nuk i rezistoj dot kësaj thirrjeje. Njohuritë e mia në fushën ushtarake, iu duhen ushtarëve, bijve të Kosovës e vëllezërve të mi, të cilët, me sa kam dëgjuar, për fat të keq, dërgohen të papërgatitur në frontin e luftës. E nëse unë të tërën e mbijetoj, do ta gjej rrugën ta ndihmoj vëllain tim më tutje. Jeta qënka një det me dallgë. Para çdo shqiptari shtrohet pyetja: A do të dalim në breg? Unë besoj se po! Dhe ngase besoj, dua edhe të veproj!”

Agimi ma shtërngoi dorën fort.

⹂Pra”, vijova unë, ⹂më siguro një orë e më parë shkuarjen në Kosovë.”

⹂Në rregull”, u dorëzua ai para vendosmërisë sime. ⹂Nesër në orën 09:00 të mëngjesit vij tek ti e të marrë me veturën time. Nisja organizohet nga Solingen-i.”

E falënderova për plotësimin e kërkesës.

⹂Shiko, pusho pakëz Arber, se nesër të pret një rrugë e gjatë. Me mijëra kilometra rrugë.”

Edhe pse ishte mbrëmje e pakëz errët, përkundër dritës, të cilën e dhuronin llampat e instaluara përgjatë shkallëve të asaj ndërtese, munda të vëreja keqardhjen e Agimit që nuk po i bëhesha krah aty e që po ndahej prej meje. Pothuajse i rrëshqitën lotët nëpër faqe! Kishim një lidhje të afërt shoqërore e shpirtërore me të, edhe pse unë isha në një moshë më të re se ai. Me të shpesh bisedonim si vëllai me vëllanë mbi gjëra të ndryshme për të sotmen e për të ardhmen e Kosovës.

Sa herë e vështrova Qiellin e atij qyteti të huaj, sa vite! Sa herë u mundova të hidhja vështrimin sa më larg që të ishte e mundur, në mënyrë që të isha sa më afër Qiellit të Kosovës sime të përgjakur! E në ato momente, nga dritarja e shtëpisë vështroja sërish Qiellin e atij qyteti ... mbase ajo do të ishte dhe nata ime e fundit në atë qytet, pasi në ditën e nesërme do të nisesha drejt frontit të luftës, drejt lirisë së Kosovës ...

Ardiani s’kishte të ngopur asaj nate të bisdonte me mua. Nuk na zënte gjumi as atë e as mua. Epo nuk ishte akt i lehtë për mua të ndahesha nga vëllau, para së gjithash ta bindja vëllaun tim që të mos e braktiste shkollën e të mos vinte me mua, pasi nesër Kosova - më shumë se për çdo gjë tjetër - do të ketë nevojë për njerëz të ditur e të shkolluar. E kuptoja se edhe për të jeta këtu do të jetë luftë, por isha i bindur se me formimin që kishte, ai do ia dilte mbanë.

Dikur Ardiani kishte fjetur e unë marrakotesha në shtrat. Para meje do të zbardhte një ditë e re, krejt e re.

Ngase gjumi më ishte arratisur, dola sërish në dritare e solla ndërmend gjithçfarë gjërash. E kështu ora kalonte e zbardhi dita. Më erdhi keq ta zgjoja Ardianin, por duhej ta bëja një gjë të atillë se kishte vendosur të më përcillte deri në pikën e nisjes.

Ballafaqohesha me disa përgatitje të çastit, por sërish kisha kohë të sillja ndërmend kushedi sa epizode jete.

Meditimin tim nën Qiellin e atij qyteti të huaj, në atë banesë të thjeshtë emigranti, e davariti zilja e shtëpisë. Më pranë derës ndodheshin Ardiani me Mehmetin, i cili kishte ardhur enkas të më përcillte mua.

⹂Me siguri duhet të jetë Agimi”, tha Ardiani dhe nxitoi të hapte derën.

⹂Mirëmëngjes!”, dëgjova zërin e Agimit kur po hynte e po përshëndetej me vëllain tim. ⹂Mirëmëngjes, Arber, a ke fjetur ndopak?” përshëndeti e pyeti ai.

⹂Mirëmëngjes, e mirë se erdhe, Agim!”, thamë ne pothuaj njëzëri. ⹂Sot gati e kemi zbardhur duke bërë muhabet.”

Ai më shikoi me dashamirësi.

⹂Ti je djalë ambicioz, Arber, e i merr gjërat seriozisht. Këtë unë e çmoj aq shumë tek ti, se serioziteti është vlerë për çdo njeri të ngritur e sidomos për personalitetin ushtarak.”

Agimi teksa hetoi qetësi në banesë, pyeti:

⹂Po nuk qënka ndokush tjetër në shtëpi prej të tuve?”

⹂Agim, gjykova të mos i lajmëroj pjesëtarët e tjerë të familjes që i kam këtu. Kështu unë porosita edhe Ardianin që ata t’i informojë mbasi që dita e sotme të kalojë e të mbrrijë mbrëmja! Edhe ndonjë shok apo të njohur s’e pashë të arsyeshme ta lajmëroja. Përfundimisht i tregova punëdhënësit tim dhe i informova kolegët e mi të punës përmbi vendimin që kisha marrë për t’u nisur drejt Kosovës. Ata më uruan vetëm fat. E luta punëdhënësin të bënte të mundur largimin tim të menjëhershëm nga puna, në mënyrë që Ardiani të merrte të paktën ca muaj të ardhurat e mia (pra Arbeitslosengeld), pasi këto vëllaut tim i duhen këtu. Natyrisht që ai e realizoi kërkesën time! Kështu që ftuam vetëm Mehmetin e mjaftojnë ai me tim vëlla të më përcjellin. Fundja unë s’ka përse të çoj pluhur për vendimin që kam marrë, pasi nëse shkoj, shkoj për veten time.”

⹂A, rrofsh, Arber! Ti më kënaqë mua dhe ndryshon shumë nga vendasit e tjerë që njoh unë”, m’u drejtua Agimi me buzëqeshjen e tij karakteristike.

⹂Agim, unë po kryej detyrën ndaj vendit tim”, iu përgjegja unë.

⹂Arber, jo vetëm se jam sot te ju në vizitë e jo vetëm se e paske vëllain prezent, por unë po të them vetëm të drejtën dhe asgjë nuk po ekzagjeroj. Do të ndjehesha edhe unë krenar, të të kisha ty vëlla!”

⹂Me këtë që the e ke merituar një kafe”, iu drejtua këtij im vëlla Ardiani buzagaz.

⹂Ardian, ulu ti se po i bëj unë. Kështu që ia bëj edhe një vetes sime, se nuk e di, nëse i bën ti, ndoshta ngelem edhe pa kafe”, ndërhyri Mehmeti, i cili me çfarë tha, na bëri të qeshnim me shpirt, por edhe të kujtonim jetën e beqarëve në mërgim; pa zonjë shtëpie ku të mbesje pa të servirë dikush kafenë ishte e keqja më e vogël.

Biseda mbi atë filxhan kafeje kaloi shpejt. Duhej të niseshim.

Në orën 11 e 20 minuta, mbërritëm në Solingen. Gjatë rrugës, ne të katërt në veturën e Agimit, ndërruam çuditërisht rrallë ndonjë bisedë me njëri-tjetrin. Të gjithë ishim thelluar në mendime. Rëndësinë e kësaj dite e fortifikoi arritja e jonë në vendin e takimit.

Ishte e martë, data shënonte 20 prill 1999. Në këtë ditë, nga Solingen-i i Gjermanisë, së bashku me 102 motra e vëllezër, të cilët me dëshirë të plotë do t’i bashkangjiteshin ushtarëve të UÇK-së, vendosëm të niseshim drejt Shqipërisë.

Ngase nuk isha ende i regjistruar si të tjerët në listën e atyre që do të niseshin, Agimi po bisedonte me njerëzit e Shtabit për Mobilizim, këtu në Dyaspora. Unë u regjistrova. Në sallën e gjërë e të shëndritëshme të “Diskothek Kasanova” u bë vaksinimi ynë ushtarak. Agimi, Ardiani e Mehmeti po më vështronin tani përmes numurit të shumtë të njerëzve. Pjestarë familjesh përcillnin djemtë e vajzat e tyre, të cilët në këtë ditë, ashtu si unë, vendosën të lëviznin drejt luftës.

Shtabi për Mobilizim i këtushëm, duke parë dokumentacionin që afrova unë siedhe duke u bazuar në atë se çfarë me siguri kishte thënë Agimi për personin tim, mua më zgjodhën udhëheqës të atyre 102 vëllezërve ushtarë. Ndjeva që atë çast të më rrihte zemra fort. Se isha akoma i ri në moshë për të mbajtur mbi supe një peshë të tillë. Por edhe ata që unë do t’i komandoja ishin thuajse vërsnikë me mua. Shumica veçse kishin uniformat e veshura, madje edhe ato i kishin blerë vetë këtu. Se ç’ishte arti i luftës e se ç’privacione do të kalonin, ata do i mësonin nesër, gjatë stërvitjeve në Shqipëri e më pas mes krismave, ballë për ballë shkijeve. Disa prej djelmoshave të bërë gati për nisje mbanin në duar me krenari flamurin kombëtar, madje, kishte ndonjë që edhe kishte mbështjellë trupin me të.

Edhe pse shefat e Shtabit të Mobilizimit ua bënë me dije vendimin që morën e përgjegjësitë e mia, poashtu edhe unë personalishtë e prezentova veten time para tyre. Në vazhdim, përmes zëdhënësve, me pak rreshta të shkruara, u mundova t’i udhëzoja e drejtoja për veprimet që do të pasonin.

Me këta njerëz para meje, të cilët, që atë ditë ishin nën komandën time dhe, në të ardhmen, shokë lufte do të më bëheshin e ndoshta edhe më të afërt se njerëzit e fisit tim, na bashkonte ideali i lirisë së Kosovës!

I kundroja në fytyra, një e nga një. E dinin, sigurisht, që s’po shkonin në dasmë e megjithatë tek asnjëri prej tyre nuk hetova një mëdyshje për veprimin që po ndërmerrnin ... (Ndërkohë që bëja këtë paradë shikimore, dy prej tyre seç komunikonin me njëri-tjetrin e s’arrita dot t’ua fiksoja fytyrat). ⹂Por do të kemi kohë për këtë”, mendova atë çast.

Në afërsi, nga e majta dhe e djathta, ishin pjesëtarët e familjeve të tyre, të cilët më ngjante se më lusnin më sa vijon: ⹂Të lutem zotëri epror, ma kij kujdes djalin ... ma ruaj djalin e vajzën” ... Kështu thoshte nëna për fëmijët, vëllai për motrën, gruaja për burrin, shoku për shokun, i afërmi për të afërmin. E në mesin e tyre, si përcjellës të mi, ishin edhe Ardiani, Agimi e Mehmeti. O Zot, a kishte se si që lufta të ishte aq e ashpër edhe ndaj meje e të mos i shihja ata më kurrë!? Po shkoja drejt luftës e do të mendoja më parë fitoren - mbi gjithçka - fitoren e lirinë! I shihja se si ata krenoheshin me detyrën që më kishin dhënë, por edhe me kompetencat e angazhimet e mia, që ishin të matura e të kontrolluara! Në këtë ditë edhe ata të tre mua më shihnin si epror ushtarak!

Mornica të shumta ma përshkonin herë pas here trupin tim. I kontrolloja ndjenjat e emocionet e mia aq bukur, sa që çuditesha me veten time se ku e gjeja gjithë atë forcë të brendshme. Pothuaj të gjitha shikimet ishin drejtuar nga unë. Të 102 shoqeve dhe shokëve të mi ju duhej që në atë moment e në vazhdim ta numëronin veten ushtarë të UÇK-së. Se ushtria jonë çlirimtare, si çdo ushtri, themelet duhej të i kishte tek disciplina e kjo e jona edhe tek patriotizmi. Kuptohej se hap pas hapi e ditë pas dite ata do i afroja jo vetëm si vartës, por më shumë si vëllezër të mi, në mënyrë që çdo veprim ta kryenim bashkarisht e n’të nesërmen, në qoftë se e kërkonte nevoja, për kauzën tonë të madhe të dinim të mos kursenim as jetën.

Nuk ishte kurrësesi e lehtë të ishe epror i ushtarëve shqiptarë, sepse këta kanë qenë të sunduar nga i huaji; shumica prej tyre as nuk e kishin të kryer shërbimin ushtarak e as që kishin vënë ndonjëherë syrin në shenjestër e gishtin në këmbëz të pushkës. Por ja, kështu paska qenë fati i jetës, për ata dhe për mua! Disa prej tyre kishin lënë auditoret, një punë të cilen kushedi me sa sakrifica e kishin siguruar, kishin lënë familjet, të fejuarin a të fejuarën, të dashurin apo të dashurën, shoqërinë e një jetë disi më të mirë se në vendlindje. Se një dashuri më e madhe, ajo për lirinë e Kosovës, i kishte pushtuar në gjirin e saj.

Ndërsa meditoja në një çast pauze në prag të nisjes, as që e kisha mendjen se qindra sy më kontrollonin çdo lëvizje timen. Madje, ndërkohë, Shtabi i këtushëm i UÇK-së nisi disa gazetarë e kameramanë drejt meje. Qëkur kishte filluar Lufta në Kosovë, gazetarë të ndryshëm interesoheshin për ecurinë e paraqitjes së vullnetarëve, të cilët lanë ç’patën e iu bashkangjitën UÇK-së. Ngase e njihja mirë Gjermanishten, arrija të komunikoja lirshëm e ta prezentoja luftën tonë në atë nivel që do e dëshironte çdo atdhetar. Intervistat i dhashë drejtpërdrejt në NTV, CNN, NDR, RTL, PRO 7 si edhe për Radio Solingen-in.

Nisja do të bëhej me dy autobusë; njëri ishte i zakonshëm, ndërsa tjetri dykatësh, por që të dy ishin komodë për një udhëtim të gjatë që përshkonte disa shtete.

Jashtë zhurmë e madhe. Gjithandej ishin të stacionuar policët gjermanë e përcjellësit nga familjet e luftëtarëve të rinj. Herë pas here dëgjoheshin brohoritjet e ushtarëve, njëri e niste e tjetri e përcillte, si një ortek që rritej e rritej: UÇK, UÇK, UÇK!

Mes kësaj atmosfere të rrallë, më thërriten në shtab të më dorëzonin dokumentet përkatëse, shënimet për të 102 vetat që do të udhëtonin. Këto dokumente ishin me rëndësi. Sipas porosisë që m’u dha, ato do t’i dorëzoja në Durrës, në shtabin e atjeshëm. U përshëndeta me Ardianin, Agimin e Mehmetin. Ardianit, vëllait tim të dashur, teksa po shkëputej prej krahëve të mi, iu mbushën sytë me lot.

⹂Hajde, mbaje veten se tash je burrë!”, i dhashë zemër unë. ⹂Mirë u pafshim në Kosovën e lirë!”, i përshëndeta dhe zura vend në autobus.

Rreth orës 14 e 30 minuta të dy autobusët u nisën. Unë zgjodha autobusin dykatësh, meqenëse ai transportonte shumicën e efektivit dhe u ula në ndenjësen pas shoferit. Tani, edhe më shumë se një ditë më parë, e dija rëndësinë e nisjes sime, të vendimit që kisha marrë. Tanimë ishte e qartë se më duhej të investoja potencial mendor e fizik e të gjitha dijet e mija ushtarake, në mënyrë që ushtarët e mi të hynin sa më të përgatitur në frontin e luftës e kurrë, në asnjë rrethanë, të mos shkonin si “mish për top!”

⹂Pra, Kosovë, së shpejti, ne do të takohemi! Na prit, se po vij me 102 shqiponja!”

Kapitulli II

⹂Më fal”, më pyeti njëri nga “udhëtarët”, edhe pse pyetja qe parazitare, ngaqë ulësja ishte bosh. Me sa kuptova, kishte dëshirë të qëndronte pranë meje.

⹂Natyrisht”, iu gjegja unë.

⹂Më çuajnë Florim, Florim Kurti”, u prezentua ai, teksa po ulej në ulësen afër meje.

⹂Gëzohem që po njihemi”, ia ktheva unë. ⹂Mua më çuajnë Arber, Arber Shabanaj.”

⹂E pashë se ishe i ulur vetëm e askujt s’ia paska mbajtë të ulet pranë komandantit”, tha ai diçka ndërmjet një humori të lehtë e një të vërtete. ⹂Kështu që thashë me vete, po ulem unë pranë teje, se në këtë rrugë kaq të gjatë vetmia të mbyt.”

Duke u bazuar më shumë nga dialekti i të folurit se sa nga paraqitja e jashtme, mendova se ai ishte nga Prishtina. Vetprezentimi dhe përmendja e përgjegjësisë, e cila më ishte besuar mua, nuk ishte e vështirë të kuptohej se ishin të mveshura me një tis të hollë diplomacie alla komuniste e pakëz edhe sllave! Nuk e dija se përse - pa dashur ta paragjykoja aspak iniciativën e Florim Kurtit për t’u njohur me mua -, por në atë çast më erdhi para sysh portreti i tim eti dhe një thënie e tij se “politika është si sapuni”. Pra, nuk doja të paragjykoja, sepse “një paragjykim i nxituar të çon në një gjykim të gabuar.”

E shikova dhe më shikoi. Njerëzit me të cilët komunikoja, isha mësuar t’i shihja në sy. Se sytë shpesh janë pasqyrë e shpirtit. Prandaj jo më kot edhe populli thotë që të ruhemi nga ata që s’kanë asnjë shok dhe nga ata që kur flet nuk të shohin në sy. Sigurisht se të atillët diçka fshehin dhe syri mund t’i tradhëtojë ... Prandaj edhe vendosa t’i flas.

⹂Dëgjo, vëllai im, Florim. Jam bashkëudhëtar me ty, shok e vëlla, por edhe eprori yt. Pra, të lutem, t’i lëmë ekzagjerimet anash, se unë nuk jam ai komandanti që ti ndoshta e ke në fantazinë tënde. Unë, ashtu si edhe ti, jam njeri fare i thjeshtë e nesër, në qoftë se je dhe mbetesh ushtar imi, do të bashkëpunojmë e ai bashkëpunim nuk do të bëhet as për hirin tim e as për hatrin tënd, por për të mirën e çështjes sonë, për të mirën e Kosovës.”

Thjeshtësia ime në bisedë, ku në krye të herës e çuajta “vëlla”, hoqi atë barrierë aq të dëmshme mes eprorit e vartësit në ushtri. Kështu që më pas, biseda jonë rrodhi lirshëm.

Florimi të interpretonte përshtypjen e një njeriu të mirë - solid në karakter - e të vendosur në veprimet që ndërmerrë e fjalët që thotë. Gjithsesi çdo gjë mbetej për t’u provuar e prova më e mirë ishte ajo e ditës më të vështirë!

Nga qëndrimi pranë meje, kuptova se ai ishte 27 vjeç, i martuar e më dy fëmijë. Kuptohet se gruan me fëmijët i kishte lënë në Gjermani, ku jetonin ç’prej pesë vitesh. Më fliste me mallëngjim mbi reagimet që kishte bërë vajza e tij e madhe, Isidora, e moshës pesë vjeçe, kur kishte marrë vesh se babai i saj do të shkonte në luftë, por sidomos fjalët që i kishte thënë në çastin e ndarjes.

⹂Nuk prita fjalë të atilla prej një pesëvjeçareje”, tha ai, si të donte edhe njëherë t’i përjetonte ato rrokje pas rrokjeje: ⹂Babë, kur të kthehesh, kthehu me lirinë!”.

Florimi jetonte me fjalët e së bijës, aq sa akoma nuk më kishte pyetur - si shumica e shqiptarëve bashkëkombasin e vet -, se nga isha unë. Por dikur u përmend, i largoi emocionet e çastit dhe vijoi:

⹂Prej nga je, Arber? Po të pyes kështu, se ti Shqipen e flet rrjedhshëm e pastër dhe nga e folura nuk arrij dot të të përcaktoj se nga?”

Ndërsa ai tërthorazi po deklaronte se unë në të folur nuk përdorja dialektalizma, se si m’u kujtua Sharlatani. Sharlatani nuk ishte në mes të 102 vullnetarëve të cilët unë atë ditë kisha nën komandë, nuk do të ishte as midis 100 e dy mijë luftëtarëve, por një ditë ai mund të dilte edhe para një milion kosovarëve duke rrahë gjoksin e duke thënë se ç’kontribut kishte dhënë ai për lirinë!

Florim Kurti vijonte të fliste. Bashkëtingëlloren “r” e shqiptonte të dyzuar dhe emrin tim Arber e artikullonte Arrberr! E pikasa nga kjo dukuri gjuhësore dialektore se nga ishte. Treva e tyre më shumë artikullojnë “rr”-në se sa në fshatin Molliq që kultivohet fasulja!

Iu përgjegja interesimit të tij.

⹂Florim, unë, pra familja jonë, prejardhjen e ka nga Kuçi i Vlorës së Shqipërisë. Në fillim të vitit 1900, të parët e mi patën ngatërresa me ca banorë të atjeshëm dhe për t’i ikë sherrit, u shpërngulën në qytezën Junik të Kosovës. Por s’qe e thënë të binin rehat as këtu. Iu lindën sërish ngatërresa, jo se ishin belaçurë, por për gjëra banale me banorët e këtushëm, kështu që detyrohen të shpërngulen në fshatin Dobrigje, i cili ka qenë kryesisht dhe akoma është i banuar sot e kësaj dite nga fisi ynë. Për fat të keq, mbi 96 për qind e fisit ishin analfabetë! E si të tillë, shumica e xhaxhallarëve të mi e të babait tim ishin ‘protagonistë potencial për t’u manipuluar nga okupatori serb’! ...”

⹂Ngase babai im e theu akullin e analfabetizmit në këtë trevë e besa edhe më gjërë, njerëzit më të afërt të tij nisnin ta shihnin me sy tjetër, pasi dija që po shpërndante babai im po ua çelte sytë pinjollëve të tyre, ndaj edhe nisën ta akuzonin babain tim, se ky me dije po ua çiste fëmijët feje e po i largonte nga rruga e Zotit! ... Por broçkulla të tilla nuk e thyenin dot babain tim ... Me ide përparimtare ai ishte gatuar që në shkollën normale ku kishte mësuar, në atë normale ku qe bashkënxënës me Adem Demaçin. E këto ide babai im i shprehte hapur. Në çdo rreth burrash e në çdo kuvend ai thoshte hapur e pa frikën e serbit se ‘pa shkollë e dije edhe liria nuk të do!’. E sillte në kujtesë rilindësit tanë, citonte shpesh një varg të Naimit se ‘Drit’ e diturisë përpara do na shpjerë!’. Por fjalët e urta të tij shpesh ranë në veshin e shurdhit. E shurdh i tillë qëlloi edhe xhaxhai. Meqë ne ishim shumë djem, mendonte se ne do të rriteshim e do t’ua ‘uzorponim’ tokën fëmijëve të tij. Kështu që babain tim pedagog e detyruan të largohej e t’ua lëshonte pjesën tonë të tokës për një kafshatë bukë. Kështu që familja ime u shpërngul në Gjakovë, ku ne fëmijët edhe vijuam shkollat.”

Florim Kurti më dëgjonte me vëmendje. Sikur përpinte çdo fjalë time!

⹂Nga fundi i vitit 1991, përderisa unë po ndiqja vitin e dytë në fakultetin juridik të Universitetit të Prishtinës”, vijova unë tregimin me Florimin, ⹂mua më arrestuan dhe më torturuan egër organet e policisë serbe. Më pas na bastisën shtëpinë, atje në Gjakovë. E torturuan edhe njërin nga vëllezërit e mi. Atëbotë, afro një muaj rresht, nëna dhe motra ime, ma lyenin trupin me kremëra të ndryshme e ilaçe popullore që të më mbylleshin plagët e të më largoheshin hematomat e shumta nëpër të gjithë trupin tim. Në këto kushte, si e mora veten, unë, nuk mund të qëndroja më në Kosovë. Në prag të moshës 22-vjeçare u përndjeka politikisht nga vëndlindja dhe u instalova në Gjermani. Në këtë vënd të huaj, në fillim, më është dashtë të bëj punë nga më të rëndomtat, jo vetëm që të mbijetoja, por edhe ta ndihmoja familjen në Gjakovë, e cila nuk kishte asnjë burim tjetër financiar ... Pra, unë sot jetoj në Gjermani dhe jam 29 vjeç ... Më mungon shumë familja, Gjakova e Kosova ...”

Bëra një pauzë të shkurtër, si të doja të tërhiqja fillin e mendimeve. Kishim rrugë të gjatë për të bërë deri në Shqipëri e mund të rrëfeheshim pa fund me njëri-tjetrin.

⹂Por ja”, vijova unë, ⹂në Shqipëri e kam pasë ëndërr të shkoj e kjo po na realizohet ... E di se atje ka pasë trazira të brendshme, por gjithsesi mes shqiptarëve ... Kurse këtu, në Gjermani, nuk e kam ndjerë veten asnjë ditë të lumtur, përderisa unë mendoja se njerëzit tanë ende janë nën thundrën e serbit ... Këtu, ata që më njohin më thërrasin ‘kosovar’. Në Junik na kanë çuajtur ‘shqiptar’. Kur dolëm nga Dobrigjeja, pra në Gjakovë, më thërrisnin ‘katundar’ ...”

⹂Kam dëgjuar, Arber, se gjakovarët janë familjaristë?”, pyeti Florim Kurti.

⹂Kjo duhet shpjeguar me sistem”, shtova unë. ⹂Gjakovarët janë familjarë, por jo familjaristë të sëmurë! Vetëm ata që kanë komplekse, mundohen ta shesin veten për të tillë, e disi, me këtë, duan të bien në sy!”

Autobusi bëri një frenim e kjo sikur për pak çaste stopoi edhe bisedën.

⹂Pra, ku mbeta? Në Gjakovë. Më kujtohet se kur loznim si fëmijë futboll, ndaheshim në skuadra: Skuadra ‘gjakovare’ e ajo kinse ardhacake, ‘katundare’. Disa fëmijë, të edukuar prej dështakëve e pseudoshqiptarëve, thonin si pa gjë të keq; ‘ejani të lozim shqiptarë e katundarë bashkë’ ... Pra, në disa raste, në Gjakovë, nga disa shqiptarë të papërgjegjshëm, më mirë trajtohej shkau e jevgu se sa vetë shqiptari i ardhur nga fshati. Kur shkoja në dasma në Dobrigje, më thërrisnin ‘gjakovari’. Në kohën kur isha në shërbimin e detyrueshëm ushtarak (kishte kohëzgjatje prej 12 muajsh), shkijet më thërrisnin ‘Shiftar’ apo ‘Shiptar’. Ata edhe terminologjinë tonë donin të e deformonin dhe këtë e kultivonin sistematikisht kundër nesh, me planin e kobshëm që ne të mos ishim ata që jemi. Gjatë kohës së studimeve në Prishtinë, që nga viti 1989, ngela ‘gjakovc’ apo ‘gjakovali’. Këtu një profesor nga Podujeva, akoma pa filluar të më pyesi, më thoshte: ‘O gjakovc, këtu nuk je në Gjakovë, këtu të duhet edhe thembrat t’i djersitësh për me kalue të unë e me marrë notë të lartë!’. O zot, pak isha persekutuar deri atëhere e tani duhej edhe ky farë profesori të m’i thoshte këto fjalë ...”

⹂Në Gjermani natyrisht se ngela ‘Ausländer’, pra ‘i huaj’ .... E sheh, pra, Florim. Mbusha plot 29 vite e asnjëherë nuk isha vendës ...”

Florimi më shikonte e hera-herës tundte kokën. Mandej dikur tha:

⹂Ty të lumtë goja, Arber, po vuajtja yte fizike e shpirtërore është vuajtje e gati të gjithë kosovarëve ... Kështuqë më vret shumë fakti se, veç prej serbëve të pashpirt, shumë të këqija ne po na vijnë edhe prej vet njerëzve tonë, pra prej shqiptarëve ... Kam dëgjuar se gjatë demonstratave të përgjithshme në Kosovë, në Gjakovë - ndërkohë që rinia e populli ishte derdhur në rrugë -, individë të ndryshëm që ndoshta edhe hanin në grazhdin e shkaut, thonin: ‘Na fëlliqën katundarët, po dojnë edhe me na e prishë vendin ...’.”

Edhe pse këto gjëra unë personalishtë i kisha dëgjuar, e trajtova si të logjikshme ta ndërprisja Florimin që po fliste realitetin.

⹂Florim, nuk duhet ta ngarkosh njeriun me një peshë 100 kilogramëshe, përderisa ky mundet vetëm 50-të me i bartë. T’i lëmë njëherë për njëherë denoncimet e përgojimet. Vetëm një këshillë desha të ta them ty:”

Nga afiniteti që po tregoja, Florimi nxitoi të më thoshte:

⹂Urdhëro Arber, po të dëgjoj.”

⹂Flokët i bashkon uji, metalet e ndryshme me njëri-tjetrin pika e duhur e shkrirjes së tyre, kurse shqiptarët sot duhet t’i bashkojë Kosova ...”

Vazhdimi i frazës nuk qe më i nevojshëm, pasi të tjerat merreshin me mend, drejt Kosovës ne po shkonim, mbase si dikur në luftën kundër turkut e fashizmit, me parollën “Ja vdekje, ja liri!”.

Përderisa në autobusin ku ishim ne bëhej zhurmë e këndohej, unë e Florimi po flisnim e artikulonim mbi elemente të rëndësishme të jetës e të ardhmërisë sonë. Ca nga ushtarët kishin marrë edhe radiot me vete e kishte kohë që këndonin e brohorisnin UÇK, UÇK, UÇK. Të tjerët, kuptohet, ndërprisnin shpesh bisedat e i bashkangjiteshin brohoritjes.

Për një moment shoferi i autobusit më tërhoqi nga meditimi. E dëgjova:

⹂Zotëri komandant”, m’u drejtua ai mua. ⹂Kemi plot katër orë që udhëtojmë. Mos do ishte e dobishme të bënim pak pushim?”

Propozimin e tij e gjeta me vend. Me siguri se të gjithë udhtarët kërkonin pak ajër të pastër. Iu gjegja:

⹂Jo në këtë ‘Rasthof’ (në gjuhën Shqipe ky term don të thotë ‘vëndpushim në autostradë’), por më pas në ndonjë parking apo ‘Tankstelle’ (ky term nënkupton ‘pompën e derivateve të naftës/benzinës’, këto të cilat ndodhen poashtu nëpër vëndpushimet e autostradave), mund të pushojmë disa minuta.”

⹂U bë!”, m’u përgjegj ai.

Dikur, pas nesh u ndal edhe autobusi tjetër. Kishim ndaluar ... Ishte e domosdoshme ... Duhej të kryenim edhe disa obligime që merren me mend ... Disa ndezën cigaret e të tjerët vijonin ndonjë bisedë të nisur. Disa vinin drejt meje të më prezentoheshin. Në Solingen, shokët e Shtabit për Mobilizim më kishin bërë me dije se në mesin e luftëtarëve të lirisë, gjendej edhe një person, i cili në ushtrinë ish-jugosllave kishte qenë si oficer rezervist. E çuanin Isa Ademi. Ai njëherit do të ishte edhe zëvendësi im.

Siç edhe e prisja, ai erdhi pranë meje.

⹂Unë jam Isai, Isa Ademi”, m’u paraqit ai. ⹂Vij prej Kumanovës. Isha në autobusin nga mbrapa dhe s’munda deri më tash të flas me komandantin tim”, shqiptoi ai, ndërsa unë lashë në çast listën e luftëtarëve që kisha në dorë.

⹂Arber Shabanaj!”, iu prezentova unë, me synimin që qysh në takimin e parë të vendosja urën e bashkëpunimit me ndihmësin tim. ⹂Më vjen mirë që jemi bashkë”, shtova dhe i zgjata dorën.

Isai ishte një burrë me shtat mesatar e me fytyrë të zeshkët. Ngjante me një 45-vjeçar. Sytë i kishte si të mufatur, një paraqitje kjo e përgjithshme dhe karakteristike e alkoholistëve. Shije aspak të mirë nuk më la gjithashtu që në fillim mënyra e tij e të folurit dhe e të përgojuarit edhe të disa emrave, të cilët s’kishte përse t’i përmendte që në takimin e parë me mua. Shqipen e fliste mu si sllavët. Disa tinguj si “y”, “th”, “dh” nuk arrinte dot t’i shqiptonte drejtë e saktë si shqiptarët.

⹂Kam jetuar në Belgjikë, Gjermani e Itali”, filloi ai ta prezentojë veten e vet para meje, ndërkohë që unë po përpiqesha t’i skicoja ashtu shpejt karakterin. ⹂Kam qitë edhe ‘qibritat’; ndoshta ty të kujtohet ose e ke parë ‘lojën e qibritave’? Me do vllazni të mi, na e ka pasë tërë rrethi frikën!!”

E dëgjoja dhe nuk reagoja fare, veçse mendoja se njerëzit të cilët flasin mbi trimëritë e veta dhe përmendin tash e parë fisin të cilit i përkasin, shndërrohen në të dyshimtë në lidhje me atë që thonë. Për fat të keq, ende shqiptarët besojnë në legjenda e trillime. Se si po më krijohej një përshtypje e pakëndshme - qysh në takimin tim të parë -, se ky njeri mund të bëhej problem social e shkaktar i së keqes kolektive për ushtarët e UÇK-së. Shikimi im mosbesues, për çfarë ai thoshte, sigurisht se e goditi disi, por ai vijonte pa pikë e pa presje, duke dashur që qysh në takimin e parë të më tregonte se kush ishte, sa vlente e mbase edhe kufirin tim me të ... Ditët që do të vinin më pas do të vërtetonin ose jo dyshimet e mia.

Dikur ai më pyeti:

⹂Po ti, prej kahi je Arber?”

Njerzishëm iu përgjegja se nga isha e ku jetoja. Por edhe i thashë se atë ‘lojën e qibritave’ që ai ma reklamonte, unë nuk e njihja fare dhe se në misionin që kishim marrë përsipër nuk kishim as pse të rrihnim gjoksin e as t’i binim daulleve për të na dalë nami, indirekt duke i dhënë përgjigje atyre që ai kishte nënvizuar më parë.

⹂Këtu, i dashur Isa, jemi para ushtarëve dhe një nga detyrat tona kryesore do të jetë t’i përgatisim e t’i ruajmë ata, por edhe në çdo hap të jemi shembull para tyre. Ngase unë s’mund të ndahem më dysh, të porosis që në autobusin, me të cilin udhëton ti së bashku me ushtarët, të mos marrësh asnjë vendim pa u konsultuar me mua. Qartë?!”

Fjala e fundit qe më shumë një urdhër se sa një pyetje e rëndomtë.

Ai e dëgjoi, por bëri sikur u habit pas një ushtari që po e thërriste me emër dhe tha:

⹂Arber, po më thërret ai ‘zemljaki’ im, më fal se më duhet të shkoj.”

Përdorimi i kësaj fjale sllave, si etiketim i një vendësi, apo i patates sipas kroatëve, mua sërish nuk më la një shije të mirë.

⹂Ju lutem përgatituni, vazhdojmë më tutje!”, udhëzova drejtuesit e autobusëve dhe po numëroja ushtarët, ndërsa këta po zinin vendet e veta.